Dhoma Ekonomike e Gruas

Dhoma Ekonomike e Gruas dhe Swisscontact ngrenë fokus grup për kurrikulat në industrinë përpunuese

Dhoma Ekonomike e Gruas në bashkëpunim me Swisscontact dhe shkollën profesionale Gjergj Canco, ka organizuar fokus grupin e posacëm për të nxjerrë në pah problematikat që mbartin kurrikulat e shkollave profesionale dhe arsimi profesional në tërësi.
Të pranishëm në takim ishin biznese nga industria ushqimore, nga sektori i përpunimit të mishit, qumështit dhe sektori i përpunimit të brumit.
Gjatë diskutimit, u evidentua si çështje kryesore mungesa e informimit në lidhje me shkollat profesionale dhe pozicionin e tyre në tregun e punës, duke filluar që në ciklin 9 vjeçar, ku nxënësit orientohen drejt gjimnazit të përgjithshëm. Sipas sipërmarrësve, “arsimi profesional duhet parë si një alternative që siguron përgatitje profesionale konkurruese si dhe ka hapësira punësimi shumë më të mëdha krahasuar me arsimin e përgjithshëm”.
Ky focus grup, vuri në dukje se tregu i punës në Shqipëri ka mungesë të theksuar për specialistët e shkollave profesionale, ku kompani të ndryshme janë duke hapur kurse profesionale brenda strukturës së tyre për te përgatitur staf sipas nevojave të tyre.
Takimi shërbeu për të theksuar mënyrat e bashkëpunimit midis biznesit dhe shkollës profesionale për të arritur një bashkëpunim nga ku mund të plotësohen kërkesat dhe nevojat e të dyja palëve.
Ky takim do te ndiqet nga një plan tjetër aktivitetesh si dhe nga fokus grupe me industri të tjera në treg.