Dhoma Ekonomike e Gruas

Për fermerët!
HAPET THIRRJA E TRETË PËR APLIKIME NGA PROGRAMI IPARD II
Dorëzimi i aplikimeve fillon nga data 10 dhjetor 2020 deri në datën 25 Janar 2021.
Afati i fundit i pranimit të aplikimeve do të jetë data 25 Janar 2021, brenda orarit zyrtar 08:00 – 16:30.
Thirrja e III për aplikime është e hapur për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural, në masat e mëposhtme:
Masa 1: “Investimet në asete fizike në fermat bujqësore”, në sektorët e mëposhtëm:
• Qumësht
• Mish
• Fruta – Perime
• Vresht
Masa 3: ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit”, vetëm në sektorin e mëposhtëm:
• Përpunimi i frutave dhe perimeve.
Shpenzimet e përgjithshme përfaqësojnë një shpenzim të referuar për inxhinierët dhe tarifat e tjera të konsultimit, studimet e fizibilitetit, fitimin e të drejtave të patentës, ose licencave.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrjeje është 29.1 milion Euro, nga të cilat 75% ose, 21.82 Milion Euro, kontribut i BE dhe 25%, ose 7.28 Milion Euro, kontribut i buxhetit të shtetit.
Masa 1: me buxhet total 21.5 milion Euro.
Nën Masën 1 totali i shpenzimeve të pranueshme, për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë, minimal dhe maksimal si:
• Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 10,000 Euro;
• Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 500, 000 Euro;
Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 1,500,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit.
Nga totali i shumës së kontributit Evropian të akorduar në këtë masë për traktorë, maksimumi i shpenzimeve do të jetë 20%.
Përqindja e mbështetjes publike është e barabartë me:
• deri në 60% të totalit të kostove të pranueshme të investimit;
• deri në 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç në datën e marrjes së vendimit për dhënien e mbështetjes);
• deri në 70%, për investimet në zona malore, ku 100% e investimit duhet të jetë ne zonë malore (shiko listën e zonave malore në Aneksin 7, edhe në rastet kur aplikanti është nën 40 vjeç).
Masa 3: me buxhet total 7.6 milion EURO.
Nën Masën 3 totali i shpenzimeve të pranueshme, për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë, minimal dhe maksimal si:
• Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 25,000 Euro;
• Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 2,000,000 Euro; Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Kriteret e pranueshmërisë të aplikueshme për të gjitha masat janë:
i) ndërtimi, apo përmirësimi i pasurive të paluajtshme, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
ii) blerja e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
iii) kostot e përgjithshme që lidhen me shpenzimet e investimet (i) dhe (ii),
iv) Kostot e përgjithshme konsiderohen të pranueshme nëse projekti të cilit i përkasin, është përzgjedhur dhe është kontraktuar prej AZHBR. Aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesën, ose ndërtesat të lidhura me investimin, ose të drejtën e përdorimit me afat, të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit. Në rastin e investimeve në pasuri të paluajtshme, ujitje, ose bimë shumëvjecare, aplikanti duhet te provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesat e lidhura me investimin, ose të drejtën e përdorimit të tyre për një periudhë të paktën 10 vjet nga data e dorëzimit të aplikimit.
v) Janë të pranueshme shpenzimet e bëra pas firmosjes së kontratës së grantit, mes marrësit të mbështetjes dhe AZHBR (me përjashtim të kostove të përgjithshme për shpenzimet e investimit përkatës).
vi) Projektet e investimeve mbeten të pranueshme për t’u financuar nga BE-ja në të ardhmen, me kusht që të mos i nënshtrohen modifikimeve thelbësore brenda pesë vitesh nga pagesa e fundit e AZHBR.
Kujdes!!! Në Thirrjen III, për masën 1, do të mbështeten të gjithë sektorët e përcaktuar në programin IPARD II, ndërsa për masën 3, do të mbështetet vetëm sektori përpunimit të fruta perimeve dhe jo sektorët e tjerë të kësaj mase.