Antonela Hako Kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas (Hako shpk)
Rrugëtimi i saj pasqyron udhëzimet më të mira për të zhvilluar karrierë. Pas përfundimit të studimeve në Fakuletin Ekonomik në Financë në vitin 1988 në universitetin e Tiranës, Antonela Hako punon për dy vite si ekonomiste në Laç, në Ndërrmarjen e Ndërtimeve Industriale.
Në vitin 1990 angazhohet me punë pranë qendrës së informatikës ekonomike në Tirane. Por, me ndryshimet që ndodhën në Shqipëri ajo vendos të emigrojë në dhjetor të po këtij viti në Greqi. Ndryshe nga shumë emigrant të tjerë, vendimi për t’u rikthyer është më i shpejtë. Familja e saj rikthehet katër vite më vonë, duke hapur biznesin e parë, një dyqan mishi pranë gjimnazit “Partizani”.
Vetëm një vit më vonë, në 1995 Hako kalon në një pikë më të madhë te Pazari i Ri. Këtu fillon prodhimi i parë me makineri të vogla e të thjeshta të qofteve dhe mishi i grirë i paketuar. Pas një viti nërmerret një tjetër hap zgjerimi. Zhvendosje në rrugën Mihal Grameno dhe zgjerim me makineri të përdorura dhe dhoma frigoriferike. Të punësuarit arrijnë në 15.
Në një vit të trazuar si ai i ’97-ës, Antonela Hako kalon me sipërmarrjen e saj në Laprakë, në ambientet e ish uzinës Tirana. Edhe aty investohet në makineri shtese dhe një linjë të vogël për prodhimin e sallamerisë dhe proshutave.
Stabilimenti i sotëm në autostradë, i përket 2004-ës. Linja teknologjike u zëvendësua me makineri të reja prodhimi dhe paketimi. U rrit numri i të punësuarve, gama e produkteve. U krijua flota e transportit dhe filloi shpërndarja në të gjithë vendin.
Në gjithë këtë rrugëtim, Antonela angazhohet me financat e kompanisë dhe më pas me shitjen dhe marketingun. Ndërsa, ishte edhe pjesë e vendimarrjes për politikat dhe mënyrën e të sjellurit të kompanisë në treg.
Sot, Antonela Hako dhe familja e saj, kanë mbi 200 të punësuar, duke mbuluar me shërbime të gjithë territorin e vendit, ndërsa kanë nisur projektin e zhvillimit edhe në Kosovë.