Irena Toçi
Themeluese & anëtare bordi e Dhomës Ekonomike të Gruas


Irena Toçi, prej 10 vitesh drejton Shtëpinë Botuese Toena në Tiranë, një nga shtëpitë botuese më të mëdha në vend, me një aktivitet të spikatur në fushën e botimit dhe të promovimit kulturor.
Ajo është vlerësuar ndër vite nga institucione të ndryshme për kontributin e saj në këtë fushë.
Në tetor të vitit të kaluar, Unesco e Greqisë (Dega e Pireut dhe e ishujve) e vlerësoi me Medalje të Artë për veprimtarinë e saj në promovimin e vlerave më të mira kulturore të rajonit.
Me Medaljen e Artë të Vergjinës është vlerësuar veprimtaria e saj në promovimin e vlerave kulturore nga Shoqata Kulturore Ndërkombëtare “To kafenio ton idheon” në Salaminë të Greqisë, në fund të vitit 2018.
Irena është vlerësuar me diploma mirënjohjeje nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi në vitin 2016; e zgjedhur dhe e vlerësuar me “Albania Excellence” nga shoqata me të njëjtin emër; Nga Komuna e Gucisë në Malin e Zi; nga Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria; Nga Fondacioni kulturor “Harpa”; Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë etj.
Përkthyese e mjaft librave për fëmijë, nga gjuha greke, italiane dhe angleze.
Irena Toçi ka një eksperiencë 26 vjeçare në fushën e botimeve dhe e specializuar edhe në fushën e menaxhimit dhe të marketingut.
Kryeredaktore për disa vjet e revistës kulturore artistike “Universi Shqiptar i Librit – Autori, Libri, Kritika”, Irena drejton që nga viti 2010 edhe Institutin e Librit dhe të Promocionit – një organizatë jofitimprurëse me një veprimtari intensive në fushën e promocionit kulturor brenda dhe jashtë vendit.