- 9 Mars, 2021
- Posted by: admin
- Category: Uncategorized
Çdo sipërmarrës ka në fokus zhvillimin e biznesit dhe stabilitetin e tij, edhe në kohë të vështira. Klodiana Ajazi është një ndër sipërmarreset që nuk i është dorëzuar frikës dhe pasigurisë së sjellë nga pandemia. Ajo është në krye të dy kompanive, Inovess Construction and Management dhe Novus Marketing and Consulting, për të cilat jo vetëm luftoi që të qëndrojnë në treg, por edhe punoi të sigurojë përshtatje dhe zhvillim. Një vlerë e shtuar për të, por mbi të gjitha për komunitetin e sipërmarrjes femërore është edhe angazhimi i saj në Dhomën Ekonomike të Gruas. Si themeluese dhe anëtare Bordi, Klodiana kontribuoi në krijimin e bazave të shëndosha për këtë institucion në mbështetje të gruas në kohët më të vështira të biznesit. Sfidat janë të mëdha, por vullneti dhe këmbengulja për t’ja dalë, janë tiparet kryesore të sipërmarrësve.
Po bëhet gati një vit nga pandemia në vend. Cilat kanë qenë sfidat e tua si sipërmarrëse?
Që nga muaji Mars 2020 nisëm me karantinë, e cila ishte sfida e parë dhe ndoshta më e vështira, pasojë e pandëmisë. Të parat që u shfaqën ishin frika, pasiguria, të cilat u bënë shoqerueset kryesore për shumë muaj. Menaxhimi tyre dhe lufta për ta mbajtur biznesin të qëndrueshëm ishin fokusi i çdo minuti. Përgjegjësia morale dhe ekonomike ndaj punonjësve ishte një tjetër sfidë. Gjatë gjithë vitit jemi përpjekur që bizneset tona të operojnë në kushte normale, duke paguar çdo detyrim, duke mos shkurtuar staf dhe duke paguar të plota pagat e tyre.
Ndërkohë, krijimi kushteve të përshtatshme të punës për të garantuar shëndetin e tyre ka qenë ndër objektivat kryesorë personal.
Me rihapjen e deri me sot, gati 1 vit, çdo ditë jemi në sfidë me kohën, çekulibrimin e tregut, pasiguritë për të ardhmen ekonomike të vendit, luftën e vazhdueshme për ta mbajtur biznesin të qëndrueshëm dhe për të krijuar mundësi të reja për të rritje dhe zhvillim, duke analizuar me shumë kujdes situatën ku ndodhemi. Aktualisht, po sfidojmë veten, duke u përpjekur që elementë të ndryshëm të kësaj situate të vështirë, t’i kthejmë në favorin tonë, për të rritur dhe zhvilluar me tej biznesin.
Çfarë ke mësuar nga kjo periudhë dhe çfarë ke ndryshuar në strategjitë e tua të punës, për t’iu përshtatur një situate të jashtëzakonshme?
Të qenurit në biznes më ka mësuar se çdo ditë është sfidë dhe e paparashikuar. Ne kemi punuar që në fillimet tona me baza të forta në teknologji, madje jemi shquar për inovacion. Por, koha e pandemisë na tregoi që duhet të vijojmë të përshtasim procedurat dhe proceset tona të punës në mënyrë të tillë që të jenë të aksesueshme në çdo kohë dhe relativisht të pavarura nga individi.
Edhe një herë, theksuam rëndësinë që ka fryma e grupit, kultura e kompanisë për t’i parë punonjësit si pjesë e pandarë e zhvillimit të biznesit. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është mbështetja e fortë që i japim njëri-tjetrit për t’u rritur e tejkaluar sfidat bashkarisht.
Së fundi ju keni marrë angazhime të reja në fushën e ndërtimit. A mund të na flisni në këtë drejtim?
Aktualisht kompania është duke operuar si kompani ndërtuese, duke ofruar shërbim në zbatimin e projekteve ndërtimore, si projekte që nisin nga fillimi ndërtimin e tyre, ashtu edhe projekte që kanë nevojë për rikonstruksion. Me grupe pune profesionale, duke ruajtur cilësi të lartë, duke kursyer kohën dhe kostot për klientët, aktualisht po punojmë në ndërtimin ose rikonstruksionin e shtëpive, bizneseve apo institucioneve të ndryshme.
Fokusi ynë është të ofrojmë standard dhe të krijojmë marrëdhënie afatgjata me secilin prej klientëve tanë.
Në sektorin e ndërtimit kërkesa dhe oferta vijon të mbetet e lartë, por mungon cilësia, garancia dhe standardi. Këto elementë po përpiqemi t’i kemi në fokus të çdo punimi tonin.
Teknologjia dhe inovacioni është në thelb të kompanisë tuaj. E mbartni dhe në emrin e kompanisë. Cilat janë shërbimet që ofroni dhe cila është qasja juaj?
Në të dy bizneset tona jemi përpjekur që inovacionin dhe teknologjinë ta kemi në thelb. Në Inovess Construction and Management që në start sollëm një model të ri të të bërit biznes, “menaxhimin e projekteve në sektorin e ndërtimit me fokus shitjen”. Sot vëmë re që është ndër shërbimet më të nevojshme për kompanitë ndërtuese dhe ne kemi një portofol të gjerë me projekte të përzgjedhura, si në Tiranë ashtu edhe në zona bregdetare. Gjatë gjithë punës tonë në Inovess përdorim sisteme menaxhimi, të cilat na ndihmojnë të kursejmë kohë dhe kosto. Ndërkohë në ndërtim, jemi të prirur të përdorim material, risi që nxisin eficencën energjitike dhe janë miqësore me mjedisin.
Në biznesin tjetër, Novus Marketing and Consulting, në çdo kohë jemi të prirur në inovacion duke qenë se thelbi është ndërtimi i platformave, website-ve dhe aplikacioneve.
Keni dy sipërmarrje dhe jeni angazhuar fort edhe tek Dhoma Ekonomike e Gruas, duke kontribuar në fuqizimin dhe mbarëvajtjen e saj. A mund të më thoni si e keni menaxhuar gjithë këtë ngarkesë në kushte aspak të zakonshme?
Dhoma Ekonomike e Gruas ka lindur si një iniciativë e përbashkët me zonjat e tjera, e drejtuar nga pasioni. Dëshira për ta zhvilluar Dhomën Ekonomike të Gruas ishte aq e madhe sa i dedikuam kohë dhe energji. Ashtu si çdo iniciativë e re kërkoi angazhimin tonë të madh dhe sot themi që kemi mundur të ndërtojmë struktura menaxhimi duke balancuar kohën që ndanim mes biznesve dhe Dhomës.
Është e vërtetë që angazhimi në një kohë të vështirë ka qenë shumë i madh, por falë dëshirës së madhe për t’i zhvilluar, biznesin dhe Dhomën njëkohësisht, e mbështetur nga partner dhe staf i mirë, kam mundur ta menaxhoj ngarkesën dhe punën.
Çfarë do t’u sugjeroje të rinjve që duan të nisin një biznes? Çfarë do t’u sugjeroje punonjësve që kërkojnë të bëjnë karrierë dhe të rrisin të ardhurat e tyre mujore?
Të rinjve që duan të futen në biznes do t’u jepja një këshillë praktike; studioni mire tregun se ku kërkoni të investoni, bëni një analizë të pikave të forta dhe të dobëta për veten. Përpara se të futesh në një sipërmarrje duhet ta njohësh mirë terrenin që do të shkelësh. DHE… kurre mos u dorëzoni, nuk është aspak e lehtë të jesh sipërmarrës, sidomos në këto kohë të vështira, por nëse investon njohuritë, talentin, dëshirën patjetër që ia del. Nuk njoh asnjë rast që ka punuar shumë, ka këmbëngulur dhe nuk ia ka dalë.
Të gjithë punonjësve që synojnë të rrisin të ardhurat e tyre dhe të zhvillojnë më tepër karrierën do t’ju sugjeroja që të investojnë në zhvillimin e vetes së tyre, duhet të jenë gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja për ta bërë sa më mirë dhe shpejt punën e tyre. Ndërkohë, duhet të ruajnë integritetin, ta vlerësojnë vërtetë biznesin ku punojnë dhe të japin maksimumin e tyre. Vetëm kështu do të mund të rriten ata, së bashku me biznesin.