Nuk është e lehtë të punosh në kushtet e pandemisë në një sektor si turizmi. SHUM, Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies ka vazhduar të operojë duke mundësuar impakt në treg. Për sfidat dhe mësimet nga kriza flet Ardeta Koçi, drejtuese e SHUM. SHUM është anëtare e Dhomës Ekonomike të Gruas.
Prej sa kohësh jeni në biznes dhe si nisi rrugëtimi juaj në këtë fushë?
Krijimi i Shoqatës së Ushqimit dhe Mirëqënies lindi si përgjigje e nevojës së vazhdueshme për standarde të përmirësuara në industrinë e restoacionit dhe mikëpritjes. Ne të gjithë e dime rëndësinë që ka turizmi në ekonominë shqiptare dhe po ashtu jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që i kushtohet çdo ditë e më shumë sektorit te hotelerisë. Siç edhe jemi dëshmitarë të hapjes çdo vit të hoteleve e resorteve të një standardi të lartë.
Me zhvillimin e turizmit, sektori pësoi një rritje të menjëehershme për burime njerezore të kualifikuar dhe si rrjedhojë Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies, që prej vitit 2014, u vjen në ndihmë si bizneseve ashtu dhe punonjësve për të siguruar një mjedis pune të përshtatshëm për të dyja palët, nëpërmjet konsulencës, trajnimeve profesionale dhe mentorimit. Po ashtu, vlerë e shtuar e këtij sektori është dhe themelimi i shoqatës simotër “Albanian Chefs & Cooks Association”, e cila tashmë është pjesë e “WORLDCHEFS” (Organizata Botërore e Shefave të Kuzhinës), pra përfaqësuesja zyrtare e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të kulinarisë. Puna, përkushtimi dhe pasioni për ushqimin, mikpritjen dhe traditën na ka shtyrë gjithmonë të kërkojmë më të mirën, për ta çuar shoqatën në nivelet që është sot.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në fushën tuaj të sipërmarrjes?
-Të jesh një OJF e varuar kryesisht nga donacionet, projektet dhe grantet, në Shqipëri është gjithmone e vështirë. Është sfilitëse dhe demoralizuese të ulesh të punosh me muaj të tërë për projekte të ndryshme, të cilat në përfundim mbushin sirtarët e donatorëve, pasi këtu, fatkeqësisht, nuk është me rëndësi idea, por lidhjet që ke me ata që e ‘‘vlerësojnë’’ idenë.
-’’Konkurenca’’
Të jesh komercial apo profesional?
Kjo është sfidë më vete. Të jesh profesional në një vend ku dominon komercialiteti, ku luksi është më i rëndësishëm se sa vetë përmbajta.
-Gjithashtu, situata e shkaktuar nga tërmeti dhe pandemia ndikuan negativisht gjithë aktivitetin e bizneseve e si rrjedhim kjo ndikoi edhe tek aktiviteti ynë.
3- Cilat kanë qenë mësimet më të rëndësishme për ju dhe nëse do të ktheheshit mbrapsh, çfare do të bënit ndryshe?
Mësimet që merr nga situata të pazakonta, janë sa të vlefshme po aq dhe të nevojshme për të krijuar eksperiencën e duhur në drejtimin e një sipërmarrje. Fakti që çdo gjë u ndal, ku vendi dhe njerezit po kalonin sfidën e shekullit, më bënë të ndaloj vrullin dhe të reflektoj rreth asaj se çfarë vlen të bëhet vërtet. U përpoqa t’i marr gjërat me qetësi dhe të gjej zgjidhje e mënyra alternative që aktiviteti ynë të mos penalizohej.
Të jesh sipërmarrëse vërtet tingëllon bukur, por nuk ka qenë aspak e thjeshtë ta mbaja kapelen e drejtueses për kaq vite. Përgjegjësia më ka vënë shpesh herë në dilema të mëdha për vendimet që kam marrë. Duke i shtuar kësaj edhe faktin që realiteti shqiptar nuk është shumë miqësor me zonjat në sipërmarrje.
E megjithatë, unë u rrita së bashku me SHUM dhe padyshim që sfidat na bënë edhe më të fortë.
Kam dhënë gjithmonë maksimumin në çdo gjë që kam bërë. Në po të njëjtën kohë, në po të njëjtat rrethana, do bëja sërish të njëjtën gjë.
Si ndikoi pandemia në sipërmarrjen tuaj dhe në planet për të ardhmen?
Si pandemia ashtu edhe tërmeti ishin 2 goditje të mëdha për shoqatën. SHUM është ngushtësisht e lidhur me aktivitetin e bizneseve të sektorit hoteleri-turizëm. Ndikimi që ata pësuan nga të gjitha efektet e kufizimit si pasojë e pandemisë ndikoi edhe në aktivitetin e SHUM. Mendoj dhe shpresoj shumë që po i rikthehemi normalitetit, një normaliteti të ri tashmë, por gjithsesi unë jam optimiste se çdo gjë do të shkojë në vendin e vet.
A mund të ndani me ne objektivat tuaja në sipërmarrje në një të ardhme afatmesme?
Së bashku me Albanian Chefs & Cooks Association kemi në përbërjen tonë edhe Chefs Academy qendrën tonë të formimit profesional. Me fillimin e vitit të ri shkollor, padyshim që dëshira dhe puna është fokusuar në krijimin e klasave dhe ofrimin e një arsimi sa më cilësor për studentët. Gjithashtu, punësimi do të vazhdojë të mbetet pika jonë e fortë. Nga ana tjetër, shumë risi dhe evente na presin. Duke e nisur me Chefs Day, aktivitetin e përvitshëm tashme, në nderim të punës së palodhur të Chefave të kuzhinës, i cili këtë vit do të vijë me shumë surpriza.
Përpos sfidave dhe lojërave të kohës, motoja jonë mbetet e pa ndryshua ; Jemi SHUM Jemi 1
Nëse do t’u kërkonin një këshillë sipërmarrësit e rinj që sapo kanë hapur një biznes apo duan ta ndërmarrin këtë hap, çfarë do t’u sugjeronit?
Nën moton ‘JEMI SHUM JEMI 1’ kemi punuar gjithë këto vite t’i japim jetë qëllimit për të cilin Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies u themelua. Gjatë këtyre 7 viteve e them me krenari se kemi tejkaluar pritshmerite tona. SHUM Albania është kthyer në një ‘brand’ në fushën e hotelerisë, me mbi 250 biznese anëtare. Gjatë viteve kemi punësuar me qindra të rinj e të reja duke u bërë trampolina e tyre drejt tregut të punës dhe kjo padyshim është diçka që më bën jo vetëm të lumtur, por edhe krenare.
Ndaj nëse do ta pëmblidhja në një fjalë të vetme do t’u thoja: Mos u ndalni!
Pas çdo vështirësie padyshim që do ta gjeni forcën për të vazhduar më të sigurt drejt përmbushjes së qëllimeve që i keni vënë vetes.
Gjeni çfarë doni dhe punoni fort për të.
Sepse,
Suksesi nuk është kurrë i rastësishëm!